VMRO-DPMNE vazhdon të jetë e përmbajtur rreth zgjidhjeve kadrovike për qeverinë e re por edhe rreth pozitave që do t`u takonin partive që janë pjesë e koalicionit.
Burime partiake konfirmojnë se një pjesë të resorëve do të udhëhiqen nga bashkëpunëtorët e afërt të Mickoskit.
Sipas tyre, VMRO-DPMNE-ja do të udhëheq me Ministrinë e Jashtme dhe të Brendshme, Mbrojtjen, Bujqësinë, Transportin dhe Lidhjen, Ministrinë për Sistem Politik, Financat, Arsimin, Kulturën, Pushtetin Lokal etj.
Mbetet të shihet nëse kabineti i ardhshëm qeveritar do të nis me ministri të riorganizuara dhe të reja, pjesë e përcaktimit programor të VMRO-DPMNE-së.
Por, për ndryshimin e Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore nevojitet shumica prej 2/3 në Kuvend, kurse partnerët potencial qeverisës vlerësojnë se kjo shifër është e arritshme.
Sipas VMRO-DPMNE-së, me riorganizimin parashihet Ministria për Ekonomi dhe Punë që do të kyçte tregun e punës, tërheqjen e investimeve dhe sipërmarrësinë, Ministrinë për Energjetikë, Xehtari dhe Lëndë të para minerale, Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, Ministrinë për Sport, Ministrinë për Kulturë dhe Turizëm dhe Ministrinë për Transformim Digjital.
Për momentin janë 16 ministri, kurse VMRO-DPMNE-ja planifikon që ky numër të rritet në 18 apo 20. Partia e Mickoskit gjithashtu planifikon edhe uljen e numrit të deputetëve në Kuvend, nga 120 në 90./tvklan.mk