Në një intervistë e para që pas zgjedhjeve të korrikut, presidenti francez Emmanuel Macron hodhi poshtë idenë e formimit të qeverisë para përfundimit të Lojrave Olimpike të Parisit. Kreu i Elizesë nuk pranoi të komentonte propozimin e frontit të majtë për emërimin e një kryeministri të ri.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka hedhur poshtë përpjekjet e një aleance të krahut të majtë për të emëruar një kryeministër të ri para Lojrave Olimpike të Parisit.
Kreu i Elizesë u shpreh se partitë në një parlament të përçarë duhet të bashkohen për të ndërtuar një koalicion të gjerë pas përfundimit të eventit më të madh sportiv.
“Dëshira ime është që, sa më shpejt të kemi mundësi, të formojmë një qeveri, sepse vendi ka nevojë për një qeveri që të marrë vendime, të përgatisë buxhetin. Dhe kështu me sa duket, deri në mes të gushtit, ne duhet të jemi të fokusuar në Lojërat, pastaj pas kësaj, bazuar në mënyrën se si ecin diskutimet tona, është përgjegjësia ime të emëroj një kryeministër dhe t’i dorëzoj atij personi detyrën për të formuar një qeveri dhe për të marrë unitetin që do t’i lejojë ata të veprojnë dhe të arrijnë stabilitet”, tha Macron.
Koalicioni i majtë i Frontit të Ri Popullor të Francës, i cili fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament në zgjedhjet e këtij muaji, propozoi ekonomisten Lucie Castets si kandidate për kryeministër përpara se Macron të fliste në një intervistë televizive.
Por kur u pyet për Castets, i cili është e panjohur për publikun, Macron tha për France 2: “Nuk është kjo çështje. Nuk është emri çështja. Çështja është: Cila shumicë mund të dalë në Asamblenë (Kombëtare)?”, u shpreh ai.
Macron , në intervistën e tij të parë që nga zgjedhjet në fillim të korrikut, pranoi se partia e tij e qendrës kishte humbur votën, por ai nuk pranoi të komentonte mbi një propozim të frontit të majtë për një kryeministër të ri.
Ai përjashtoi mundësinë e dorëheqjes para përfundimit të mandatit të tij.
Franca është ende në një ngërç politik që nga zgjedhjet. Asnjë parti nuk fitoi shumicën e plotë të vendeve në dhomën e ulët të parlamentit, e cila është e ndarë gjerësisht në tre blloqe. Koalicioni i majtë ka kërkuar të propozojë një kryeministër të ri për të pasuar kryeministrin në largim Gabriel Attal, por ka përjashtuar arritjen e marrëveshjeve me forcat e tjera politike dhe nuk ka vende të mjaftueshme për të formuar një qeveri.