Qeveria e Malit të Zi pritet të vendosë këtë të premte për miratimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse të Serbisë, e cila rrezikon të rrëzojë kabinetin e drejtuar nga Dritan Abazoviç.
Marrëveshja njeh rolin përgjatë historisë që Kisha Ortodokse Serbe ka pasur në komunitetin ortodoks brenda territoreve të sotme të Malit të Zi. Socialdemokratët në opozitë të presidentit Milo Gjukanoviç kanë paralajmëruar se do të heqin dorë nga mbështetja për qeverinë e minorancës të kryesuar nga Abazoviç, nëse miraton marrëveshjen në këto terma.
Në mbledhjen e kësaj të Premteje, Abazoviç sqaroi se në pikat ku opozita thotë se marrëveshja ligjëron të drejtën e pronësisë së Kishës serbe ndaj objekteve të kultit ortodoks në Malin e Zi, nuk përmendet fare kjo kishë. Mbledhjes i kanë paraprirë orët e fundit edhe protesta kundër marrëveshjes në Podgoricë.
Marrëveshja është hartuar mbi bazën e diskutimeve me partitë politike parlamentare dhe grupet e interesit. Për të, Abazoviç mori edhe mbështetjen e preisdentit serb Aleksandër Vuçiç. Por presidenti malazez kërkon rishikimin e saj.
Tv Klan