Qeveria dhe Ministritë vazhdojnë që në Kuvend t’i dorëzojnë propozim ligjet vetëm në gjuhën maqedonase duke mos respektuar kushtetutën e cila thotë se komunikimi zyrtarë mes institucioneve përvec në Maqedonisht duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe, respektivisht gjuhën të cilën e flasin mbi 20% të qytetarëve të këtij shteti.
Sot Ministri i Ekonomisë që drejtohet nga VLEN Besar Durmishi në parlament ka dorëzuar 7 ligje dhe asnjë nuk ka qenë i përkhyer në gjuhën shqipe.
Deputetja e Frontit Europian Ilire Dauti tha se nga tetë pikat e rendit të ditës, shtatë janë dorëzuar nga Ministria e Ekonomisë që drejtohet nga Besar Durmishi por që të gjitha janë vetëm në gjuhën maqedonase.
“Edhe në seancën e sotme të komisionit për ekonomi për punë të energjetikës përsëri ligjet janë sjellur nga Qeveria të gjithë vetëm në gjuhën maqedonase dhe asnjë prej tyre nuk është propozuar në dy gjuhë. Nga kuadër shqiptar konkretisht nga ministrI Besar Durmishi i cili sikurse edhe të gjitha ligjet e tjera deri më tani ku emri i tij është i shënuar si autorizues zyrtar në emër të Qeverisë kanë ardhur vetëm në gjuhën maqedone”, tha Dauti.
Sipas Dautit, me këtë, Qeveria është shkelës i ligjit po edhe kushtetutës. Pas vërejtjes, komisioni vazhdoi seancën në mënyrë të rregullt duke miratuar rendin e ditës, por më pas në mënyrë demonstrative Dauti e lëshoi seancën duke potencuar se në punën e këtij komisioni nuk merr pjesë asnjë përfaqësues i VLEN.
Pas largimit të Dautit për një moment seanca u ndërpre derisa nuk erdhi deputeti I VLEN-it Rijad Shaqiri. Komisioni rifilloi punën, por vërejtje kishte edhe ai pikërisht për gjuhën shqipe.
“Do të reagojë në mënyrë procedurale sepse shof se ligji prap është vetëm në gjuhën maqedone”, tha Shaqiri.
Por edhe vërejtja e tij nuk u mor parasyshë dhe komisioni vazhdoi punën duke miratuar propozim pikat e dorëzuara nga Ministritë.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që deputetët e Frontit Europian debatojnë ashpër me deputetët e shumicës parlamentare për gjuhën shqipe. Se trupat punes të parlamentit nuk duhet të vazhdojnë me punë nëse propozimet janë vetëm në gjuhën maqedonase e ka thënë edhe deputeti i VLEN, Rijad Shaqiri, po edhe deputetja Imërlije Saliu disa seanca më herët. /tvklan.mk