Trajneri më i suksesshëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Qatip Osmani, i cili në ndeshjen e fundit të sezonit 2022/2023 kundër Rabotniçkit në Shkup edhe pse shënoi fitore menjëherë dha dorëheqje të parevokueshme nga posti trajner përgjegjës në ekipin e Shkëndijës. Dorëheqja u pranua nga ana e drejtuesve të klubit, përkundër faktit se ai ekipin e drejtoi në 24 ndeshje ku regjistroi 13 fitore, 7 barazime dhe 4 humbje, ndërsa me përfundimin e sezonit ekipi u radhit i treti në tabelë me gjithsej 57 pikë apo 11 më pak se Struga Trim Lum dhe një më pak se Shkupi që doli në vendin e dytë.
Por legjenda e futbollit tetovar Qatip Osmani, këto ditë ka disa oferta nga klube të njohura si në kampionatin shqiptar ashtu edhe nga klube të kampionatit të Kosovës. I pyetur për ndonjë ofertë konkrete ai tha se çdo gjë do të mësohet ditëve në vijim.
Gjithsesi se duke pasur parasysh sukseset e Qatip Osmanit si trajner i ekipit kuqezi ku ka të fituara tre tituj Kampion, 1 finale të kupës dhe një superkupë, normal edhe sukseset me ekipin e Shkëndijës në garat evropiane. Qatip Osmani katër herë ka drejtuar ekipin e Shkëndijës në 153 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 93 fitore, 26 barazime dhe 34 humbje.
Shaban Sinani /KlanMacedonia/