Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi të enjten një qendër stërvitjeje ushtarake për rekrutët rusë, vizita e tij e parë e këtij lloji që nga shpallja e një mobilizimi të pjesshëm ushtarak më 21 shtator.
Televizioni shtetëror rus publikoi pamje të Putinit teksa vizitonte një qendër poligoni në rajonin Ryazan, në juglindje të Moskës, i veshur me të zeza, duke shtënë me një pushkë snajper dhe duke përshëndetur ushtarakët e pranishëm.
Ai u filmua gjithashtu duke folur me oficerët, duke u shtrënguar duart dhe duke u uruar atyre “fat të mbarë”.
Sipas agjencive shtetërore të lajmeve ruse, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura ruse “vëzhgoi ushtrime praktike” përfshi stërvitje zjarri, trajnime inxhinierike dhe mjekësore.
Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, i cili ndodhej në krah të Putinit gjatë vizitës, i dha atij një përditësim mbi trajnimin e të mobilizuarve, sipas agjencive të lajmeve.
Më shumë se 200.000 persona janë rekrutuar në ushtrinë ruse që kur Putin njoftoi nisjen e mobilizimit, bëri të ditur ministria e mbrojtjes.
Mobilizimi i Rusisë synon të mbështesë forcat e Moskës në Ukrainë pas një sërë disfatash ushtarake.