Putin zotohet për hakmarrje ndaj Wagner: Donin vëllavrasjen…

Me një ton të ashpër në një fjalim drejtuar kombit presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar liderët e rebelimit të Wagnerit se duan “të shohin Rusinë në konflikte të përgjakshme”.

Putin gjatë fjalimit u zotua se do t’i sjellë organizatorët e revoltës para drejtësisë pa përmendur drejtpërdrejtë Prigozhinin.

“Organizatorët e rebelimit, duke tradhtuar vendin e tyre, popullin e tyre, tradhtuan ata që ishin joshur në krim. Ata i gënjyen, i shtynë drejt vdekjes, për të mposhtur popullin. Rezultati ishte vëllavrasja që dëshironin armiqtë e Rusisë, si neo-nazistët në Kiev, edhe zotërinjtë e tyre perëndimorë, si dhe lloj-lloj tradhtarësh kombëtarë. Ata donin që ushtarët rusë të vrisnin njëri-tjetrin.”

Pavarësisht kësaj ai i cilësoi trupat e Wagner-it patriotë të cilët do të lejoheshin të bashkoheshin me ushtrinë ose të shkonin në Bjellorusi.

“Rebelimi i armatosur do të ishte shtypur në çdo rast. Por shumica dërrmuese e luftëtarëve dhe komandantëve të Grupit Wagner janë gjithashtu patriotë. Ata e dëshmuan këtë me guximin e tyre në fushën e betejës, duke çliruar Donbasin.”

Kreu i Kremlinit u shpreh se të gjitha vendimet e nevojshme janë marrë që në fillim për të neutralizuar kërcënimin. Sipas tij, rebelimi do të shtypej gjithsesi dhe organizatorët e kuptuan se veprimet e tyre ishin kriminale. Mes të tjerash presidenti rus këmbënguli se Ëagner kishte vepruar gjithmonë dhe vetëm në interes të Rusisë.

Mercenarët e Wagnerit pushtuan një qytet të madh rus në pjesën jugore të vendit përpara se të niseshin në veri drejt Moskës me një kolonë automjetesh ushtarake, por më pas u tërhoqën duke shmangur grushtin e shtetit.

Putin e përdori gjithashtu fjalimin për të hedhur poshtë problemet e brendshme që ekzistojnë brenda Rusisë si dhe për të ripohuar autoritetin e tij. Ndërkaq në fund të fjalimit Presidenti Vladimir Putin bëri homazhe për 13 pilotët që u vranë gjatë rebelimit të dështuar. Midis avionëve të rrëzuar ishin tre helikopterë Mi-8 MTPR dhe një avion Il-18.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share