Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Indonezi javën e ardhshme, tha të enjten një zyrtar i qeverisë indoneziane, duke shmangur një konfrontim të mundshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj për shkak të luftës në Ukrainë.
Luhut Binsar Pandjaitan, organizues për ngjarjet e G20-ës, tha se vendimi i Putinit për të mos marrë pjesë ishte “më i miri për të gjithë ne”.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden, presidenti kinez Xi Jinping dhe liderë të tjerë botërorë do të marrin pjesë në samitin dy-ditor që fillon më 15 nëntor.
Ky samit do të ishte hera e parë që Biden dhe Putin do të ishin bashkë në një mbledhje qëkur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt.
Presidenti indonezian Joko Widodo është nikoqir i mbledhjes së 20 ekonomive më të mëdha në botë në ishullin Bali.
“Është informuar zyrtarisht se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës dhe do të përfaqësohet nga një zyrtar i nivelit të lartë dhe kjo është diskutuar nga presidenti Joko Widodo dhe Putin në bisedat e mëparshme telefonike”, tha Pandjaitan pas takimit të zyrtarëve të sigurisë.
“Çfarëdo që të ndodhë me vendimin e Rusisë, është për të mirën tonë të përbashkët ,” shtoi Pandjaitan, i cili është gjithashtu ministër koordinues i çështjeve detare dhe investimeve.
Ai tha më herët se ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov do të udhëheqë delegacionin rus.
Pandjaitan nuk e dinte pse Putini vendosi të mos vinte, por tha “ndoshta sepse Presidenti Putin është i zënë në shtëpi dhe ne gjithashtu duhet ta respektojmë këtë”.
Pandjaitan konfirmoi se të njëjtat arsye ndoshta po e mbajnë edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në shtëpi.
Widodo në fillim të këtij viti udhëtoi për në Kiev dhe Moskë në një përpjekje për t’i bërë të dy udhëheqësit të ulen në Bali dhe të bëjnë paqe.
Vendimi i Putinit për të mos marrë pjesë në G-20 vjen pasi forcat ruse në Ukrainë kanë pësuar pengesa të konsiderueshme.
Tërheqja e paralajmëruar e Rusisë nga qyteti Herson së bashku me një ngërç të mundshëm në luftimet gjatë dimrit mund t’u japë të dy vendeve një mundësi për të negociuar paqen, tha të mërkurën gjenerali i ushtrisë Mark Milley, kryetar i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së.
Ai tha se rreth 40,000 civilë ukrainas dhe “mbi” 100,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftë, tani në muajin e nëntë të saj.
“E njëjta gjë ndoshta në anën ukrainase,” shtoi Milley.
G20-ta është më i madhi nga tre samitet që mbahen në Azinë Juglindore këtë javë dhe në vijim, dhe mbeti e paqartë nëse Lavrov do të përfaqësojë Rusinë në të gjitha ato.
Biden kishte përjashtuar mundësinë e takimit me Putin nëse ai do të kishte marrë pjesë në samit dhe tha se e vetmja bisedë që mund të kishte me liderin rus do të ishte diskutimi i një marrëveshjeje për lirimin e amerikanëve të burgosur në Rusi.
Indonezia ka ftuar gjithashtu presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka të ngjarë të marrë pjesë virtualisht
Zelensky ka thënë se nuk do të merrte pjesë nëse Putini merr pjesë
Ky samit do të mbahet në Bali të Indonezisë më 15 dhe 16 nëntor, e cila aktualisht udhëheq me presidencën e G20-ës.