Sinjal i thellimit të aleancës së pashpallur Moskë-Pekin
Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti këtë të martë në Pekin, për të marrë pjesë në forumin e nivelit të lartë për nismën “Brez dhe Rrugë”, ku pritet edhe një takim kokë më kokë me homologun kinez Shi Xhinpin.
Më tepër se për të marrë pjesë në një forum bashkëpunimi ekonomik, prania e pjesëmarrja e shefit të Kremlinit në këtë forum shihet si një përpjekje për të thelluar aleancën e pashpallur mes Moskës dhe Pekinit përballë perëndimit, mes konflikteve që kanë shpërthyer e rrezikojnë të shpërthejnë në ato pjesë të globit të konsideruara si zona të tyre të ndikmit, si Ukraina apo Tajvani.
Krahas 150 vendeve pjesëmarrëse në nismën e projekteve që në total arrijnë vlerën e triliona dollarëve investime në infrastrukturë, pjesë e forumit është edhe Hungaria që është pjesë e Bashkimit Europian dhe Serbia, aspirante. Në takimin me Putinin, kryeministri hungarez i theksoi shefit të Kremlinit se ka qenë gjithmonë kundër sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për krizën ukrainase.
“Brez dhe Rrugë” është një nismë përmes së cilës Pekini investon për ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave që nisin nga Kina dhe zgjerohen deri në Europë, që lehtësojnë marrëdhëniet tregtare lindje – perëndim.
Tv Klan