Putin: Kundërofensiva ukrainase po dështon

Presidenti rus akuzoi Poloninë se ka ambicie territoriale në ish-Bashkimin Sovjetik

Për të shmangur humbjet e ushtrisë ruse në fushëbetejë, presidenti rus Vladimir Putin në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit, deklaroi se kundërofensiva ukrainase ka dështuar.

Vladimir Putin, President i Rusisë: Nuk ka ende rezultate të kundërofensivës. As burimet kolosale që janë derdhur në regjimin e Kievit dhe as furnizimet me armë, tanke, artileri, automjete të blinduara dhe raketa perëndimore nuk po ndihmojnë. E gjithë bota mund të shohë se pajisjet e pathyeshme ushtarake me të cilat mburrej Perëndimi po shkatërrohen.

Mes të tjerash kreu i Kremlinit akuzoi Poloninë se ka ambicie territoriale në ish-Bashkimin Sovjetik.

Vladimir putin, President i Rusisë: Në vitin 1939 Polonia u braktis nga aleatët e saj perëndimorë, u hodh në makinën gjermane të luftës dhe humbi pavarësinë. Falë hapave të ndërmarrë nga Stalini, Polonia mori territore të konsiderueshme në territorin tonë në Perëndim. Sa i përket liderëve polakë, me shumë mundësi ata po llogarisin në formimin e një lloj koalicioni nën ombrellën e NATO-s për të rimarrë tokat e tyre historike aktualisht Ukrainën perëndimore. Por sa i përket Bjellorusisë, ajo është pjesë e Shtetit të Unionit dhe agresioni kundër Bjellorusisë do të thotë agresion ndaj Federatës Ruse.

Moska do të reagonte ndaj çdo agresioni kundër Bjellorusisë me të gjitha mjetet në dispozicionin u shpreh Putin.

Ndërkaq, SHBA mund të dorëzojë avionë luftarakë F16 në Ukrainë deri në fund të këtij viti. Lajmin e ka bërë të ditur Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Nga ana tjetër një koalicion prej 11 kombesh do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të fluturuar me avionët luftarakë F16 në një qendër që do të ngrihet në Rumani në Gusht.

Gjithashtu shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, ka deklaruar se Bashkimi Evropian do të sigurojë deri në pesë miliardë euro në vit ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share