Putin kërkoi falje për rrëzimin e aeroplanit në Kazakistan

Vladimir Putin kërkoi falje pasi një “incident tragjik” me aeroplanin e Azerbajxhanit ndodhi në hapësirën ajrore ruse.

Presidenti rus ka biseduar me homologun e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, lidhur me rrëzimin e aeroplanit të Azerbaijan Airlines dhe ka kërkuar falje pasi incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse, por nuk ka pranuar përgjegjësinë e Rusisë.

Në një deklaratë të Kremlinit thuhej “Vladimir Putin kërkoi falje për faktin që incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse dhe njëherësh shprehu ngushëllime të thella dhe të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit”, shkruan skynews.

 

Deklarata shtonte se, teksa aeroplani përpiqej të ulej në Grozny, kryeqyteti i rajonit Çeçeni të Rusisë, dronët ukrainas po sulmonin Rusinë dhe forcat e mbrojtjes ajrore ruse po zmbrapsnin sulmet.

Aeroplani i pasagjerëve u rrëzua të mërkurën pranë qytetit Aktau në Kazakistan, pasi u devijua nga jugu i Rusisë, ku u raportuan sulme me dron në disa qytete.

Të paktën 38 persona humbën jetën dhe 29 të mbijetuar mbetën të plagosur.

Shtëpia e Bardhë tha se të dhënat fillestare sugjerojnë se aeroplani mund të jetë rrëzuar nga Rusia, ndërsa dy zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë thënë për NBC News se inteligjenca amerikane ka tregues që Rusia mund të ketë identifikuar gabimisht aeroplanin si një dron dhe ta ketë qëlluar atë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share