Putin – Erdogan, shtrëngim duarsh në Teheran

Presidenti rus merr mbështetjen e Iranit për luftën në Ukrainë. SHBA: Vizita tregon sa e izoluar është Moska

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dhe udhëheqësin suprem të Iranit Ajatollah Ali Khamenei në Teheran. Ky është udhëtimi i dytë që Putin zhvillon jashtë vendit që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë në 24 Shkurt të këtij viti.

Zhbllokimi i eksporteve të grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi ishte në krye të axhendës, për të cilën Putin tha se ishte bërë përparim. Në Teheran, Putin pati mundëisnë të zhvillonte takimin e tij të parë ballë për ballë që nga pushtimi me një udhëheqës të një vendi të NATO-s, presidentin e Turqisë Erdogan.

“Me ndërmjetësimin tuaj ne kemi ecur përpara,” i tha Putin Erdoganit pas takimit të tyre dypalësh.

“Jo të gjitha çështjet janë zgjidhur ende, por fakti që ka lëvizje është mirë”, u shpreh Putin.

Lufta civile në Siri u diskutua gjithashtu, me Turqinë dhe Rusinë. Udhëtimi i Putinit, që vjen vetëm disa ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden vizitoi Izraelin dhe Arabinë Saudite, i dërgon një mesazh të fortë Perëndimit për planet e Moskës për të krijuar lidhje më të ngushta strategjike me Iranin, Kinën dhe Indinë përballë sanksioneve perëndimore, shkruan agjencia e lajmeve rojtar.

Duke folur pas takimit të tij me presidentin rus, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Teherani dhe Moska duhet të forcojnë lidhjet e tyre dhe shtoi se Perëndimi ishte fajtor për luftën në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara thanë se vizita e liderit rus në Iran tregoi se sa e izoluar është bërë Rusia pas pushtimit të Ukrainës.

Putin, Erdogan dhe presidenti iranian Ebrahim Raisi diskutuan gjithashtu përpjekjet për të reduktuar dhunën në Siri, ku Turqia ka kërcënuar të nisë më shumë operacione ushtarake për të shtrirë “zonat e sigurta” përgjatë kufirit. Moska dhe Teherani kundërshtojnë çdo veprim të tillë të Turqisë. Rusia dhe Irani janë mbështetësit më të fortë të presidentit sirian Bashar al-Assad, ndërsa Turqia mbështet kryengritësit kundër Asadit.

Duke folur në fund të bisedimeve, Putin tha se tre presidentët ranë dakord të vazhdonin konsultimet për Sirinë dhe ishin të përkushtuar për të vijuar përpjekjet për normalizimin e situatës atje pas një dekade konflikti.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share