Putin akuzon Perëndimin se dëshiron të asgjesojë Rusinë

Ushtria e Ukrainës bën me dije se fshati Yahidne nuk ka rënë në duart e rusëve

Në një intervistë për televizionin shtetëror rus presidenti Vladimir Putin e ka cilësuar konfrontimin me Perëndimin për luftën në Ukrainë si një betejë ekzistenciale për mbijetesën e Rusisë dhe popullit të tij.

“Ata kanë një qëllim, të shpërbëjnë ish-Bashkimin Sovjetik dhe pjesën e tij themelore Federatën Ruse”, tha Putin.

Një vit pasi urdhëroi sulmin e vendit fqinj, Putini po e paraqet gjithnjë e më shumë luftën si një moment të ri në historinë ruse duke thënë se e ardhmja e Rusisë është në rrezik. Putin thekson se Perëndimi dëshironte të ndajë Rusinë dhe të shkatërrojë popullin rus.

“Unë nuk e di nëse një grup i tillë etnik si populli rus do të jetë në gjendje të mbijetojë në formën në të cilën ekziston sot”, tha Putin.

Shtetet e Bashkuara kanë mohuar këto akuza, ndërsa presidenti Joe Biden ka paralajmëruar se një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore, ndërsa ka theksuar ndër të tjera se Putini nuk duhet të mbetet në pushtet.

Deklaratat e Kreut të Kremlinit vijnë teksa luftimet intensive vijojnë mes trupave ukrainase dhe atyre ruse në qytetin e Bakhmutit.

Ushtria e Ukrainës thotë se Rusia ka kryer një ofensivë të pasuksesshme pranë Yahidne, duke hedhur poshtë pretendimet e grupit mercenar rus Wagner se luftëtarët e saj kishin pushtuar fshatin afër Bakhmutit në lindje të Ukrainës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share