KOLAPSI NË FSSH PROBLEME ME PAGAT, FUNKSIONIMIN E SISTEMIT
Punonjësit shëndetësor paralajmërojnë protesta përkundër premtimeve nga ana e Fondit për Sigurim Shëndetësor se të hënën deri në përfundimin e orarit të punës do t`u paguhen pagat e janarit, që janë vonuar si pasojë e sulmit kibernetik ndaj sistemit të fondit.
E gjitha situata, sic percjell KlanM, ka shkaktuar probleme edhe për barnatoret që kanë marrë instruksione nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, që për çdo të siguruar që nuk ka paguar kontributet pas 5 Shkurtit ta njoftojnë Fondin për të dhënat e tyre personale që të kontrollohet nëse personi konkret është i siguruar.
Për situatën e krijuar kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja.
“Gjysmë muaji ka kolaps të Fondit për shëndetësi dhe të gjithë sistemit shëndetësor. Qytetarët nuk mund t`i marrin ilaçet me receta edhe pse gjithë jetën paguajnë sigurim shëndetësor, nuk paguhen pushimet mjekësore, nuk ka paga për punonjësit shëndetësor, nuk as edhe Ministër të Shëndetësisë” – tha Igor Nikollov, VMRO-DPMNE.
IT-sistemi i Fondit për Sigurim Shëndetësor, sic njofton KlanM, ndërpreu punën më 6 Shkurt pas sulmit kibernetik, që la pa pagat e janarit punonjësit shëndetësor në gjithë vendin dhe shkaktoi probleme në funksionimin e sistemit.
Ministri për Financa, Fatmir Besimi, paralajmëroi se nëse deri të hënën nuk zgjidhet problemi, pagat do të sigurohen nga Arka Qendrore e më pas do të barazohen me arkën e Fondit.
Fondi për Sigurim Shëndetësor, sic percjell KlanM, ka siguruar qytetarët se të dhënat e tyre personale dhe shëndetësore janë të sigurta duke përgënjeshtruar pohimet se janë vjedhur këto të dhëna.
Siç merret vesh, për ristartimin e sistemit pas sulmit kibernetik dhe kthimin e tij në normalitet, krahas ekspertë nga vendi punojnë edhe ekspertë të huaj.