Kjo video u bë virale nëpër rrjetet sociale. Sic thuhet, bëhet fjalë Kurtish Imerin punonjës në Ndërmarrjen Publike Komunale në Tetovë, i cili u përjashtua nga puna dhe jo vetëm, por u bullizua dhe u diskriminua nga udhëheqësit e NPK-së.
Njoftohet se ai ka humbur gishtat e dorës së tij në punë dhe se është përjashtuar nga puna, vetëm sepse nuk mundej të punonte punë të rënda.
Pas publikimit të videos nëpër rrjetet sociale, NPK e ka angazhuar si roje në parkun e kësaj ndërmarrjeje.
Kanë reaguar këshilltarët e BDI-së në Komunën e Tetovës. I bëjnë thirrje Prokurorisë që urgjentisht ta hetojnë rastin.
“Mobingu dhe shantazhimi që po kryhet nga njerëzit e afërt me Bilall Kasamin ndaj punëtorëve është i paparë. U bëjmë thirrje të gjithë atyre ndaj të cilve po kryhet mobing, të mos frikësohen por këto raste, sikurse Kurtish Imeri t’i denoncojnë, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në institucionet kompetente, pasi që monstrat e tilla që ushtrojnë presion ndaj qytetarëve të sinqertë, meritojnë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha Liridon Disha.
Nga Komuna e Tetovës dhe Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” ende nuk kanë dhënë sqarim për këtë rast. /tvklan.mk/