Kovaçevski: Korridoret do të ndërtohen, vendi do të integrohet në BE
Kryeministri Dimitar Kovaçevski shpreson se vendi ka punëtorë, mekanizime dhe materiale të mjaftueshme për t`i ndërtuar autostradat e Korridorit 8 dhe 10D, njofton KlanM.
Sipas tij, vendi duhet të sigurojë 51% të nënkontraktuesve të nevojshëm për marrëveshjen me “Behtel dhe Enka”.
Kryeministri, sic njofton KlanM, u shpreh i prerë se Korridoret do të nisin dhe do të ndërtohen.
“Do të ketë Korridor 8 dhe 10D dhe anëtarësim në BE do. Do t`i zhgënjejmë ata që nuk besojnë në projektin më të madh infrastrukturor të vendit, e këto janë ata që nuk besuan në anëtarësimin në NATO. Ka marrëveshje të nënshkruar me 400 faqe ku janë definuar obligimet tona dhe të realizuesit”, tha Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore tashmë ka publikuar shpalljen për punëtorë që do të punojnë në ndërtimin e katër autostradave të Korridorit 8 dhe 10D, percjell KlanM.
Shpallja është e hapur deri më 25 Prill, kurse marrëveshja nënshkruhet deri në përfundim të projektit – 22 Janar 2028. Orari i punës është 40 orë na javë.
Pozita më e paguar në shpallje, sic njofton KlanM, është ndihmësi i koordinatorit kryesor dhe përgjegjës të projektit, që duhet të jetë inxhinjer ndërtimi. Për këtë pozitë parashikohet paga prej 70.052 denarëve./KlanMacedonia/