Publikohen pamjet e incidentit në të cilin u sulmua një pjesëtar i policisë. Regjistrimet nga kamerat e sigurisë së lokalit të njohur të Shkupit, të siguruara nga “360 gradë”, tregojnë se çfarë ka ndodhur në natën mes së shtunës dhe të dielës kur Ivica B., pjesëtar i sigurimit të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka sulmuar një koleg polic i cili ishte në detyrë atë natë.
Në fillim të videos, Ivica B. dhe Vlatko G. shihen duke folur brenda lokalit. Më pas Ivica B. fillon të shtyjë Vlatko G. dhe e nxjerr jashtë objektit, ku vazhdon shtyrja. Persona të tjerë vrapojnë dhe përpiqen t’i ndajnë, por Ivica në një moment godet me grusht në kokë Vlatkon. Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë teknike, Pançe Toshkovski, njoftoi dje se MPB-ja do të bëjë kallëzim penal kundër Ivica B. për sulm ndaj një zyrtari tjetër.