Këto janë pamjet e operacionit antidrogë në të gjithë vendin me 233 të arrestuar dhe shkatërrimin e 23 grupeve kriminale.
Operacioni i policisë nisi njëkohësisht në të 5 qarqet e vendit. Sipas policisë, të arrestuarit kishin në shënjestër shpërndarjen e drogës te nxënësit e shkollave.
Hetimi për goditjen e këtyre grupeve nisi rreth 8 muaj më parë, nga ku u zbulua se droga shitej në afërsi të shkollave, lokaleve të natës apo blloqeve të banimit.
Tirana ka numrin më të lartë të personave të arrestuar, 82 të tillë. Për sigurimin e lëndës narkotike grupet kriminale në kryeqytet kishin shtrirë lidhjet e tyre jashtë vendit.
Gjatë këtij megaoperacioni, si rezultat i kontrolleve në banesa dhe në ambiente të tjera, deri tani janë sekuestruar 13 armë zjarri (2 kallashnikovë, 10 pistoleta dhe 1 pushkë), 5 armë gjahu/sportive, 1 elektroshok, 8 armë të ftohta (thika, doreza metalike); 134.5 kg kanabis, 364 fara kanabisi, 1.2 kg kokainë, mijëra doza kanabisi, kokaine dhe heroine, qindra doza MDMA, tableta ekstazi, sasi të drogave sintetike GAB dhe Poppers, 23 peshore elektronike, 3 mjete për përpunimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza; 225 celularë, 35 automjete, 1 801 000 lekë të rinj, 38 845 euro, 6100 paund, 1100 dollarë. Gjithashtu, janë sekuestruar 4 motomjete, 12 targa, pajisje si të Policisë dhe dokumente false. /tvklan.al