IRL PREZANTON AUDIO-XHIRIM NGA NJË SEANCË GJYQËSORE
Prokurorët e kanë vlerësuar si të parëndësishme ekspertizën gjermane për zjarrin modular në Tetovë, kështu pretendon audio incizimi i publikuar nga IRL në njërën nga seancat gjyqësore për spitalin modular në Tetovë, njofton KlanM.
Prokurorë të Prokurorisë Publike të Shkupit kanë kërkuar që Gjykata në Tetovë ta hedh poshtë propozimin e palës mbrojtëse që në pyetje të merret eksperti që kishte përgatitur ekspertizën gjermane për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, me arsyetimin se është e parëndësishme për këtë rast.
Kjo, sic njofton KlanM, mund të dëgjohet nga një audio-xhirim që është publikuar nga IRL-ja. Sipas tyre, audio-xhirimi daton nga seanca gjyqësore e 2 Marsit 2023 në Gjykatën Themelore në Tetovë.
“Gjykata solli vendim, refuzohet propozimi i mbrojtjes për marrje në pyetje të ekspertit nga Gjermania, duke marrë parasysh se ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme lidhur me zjarrin e shkaktuar dhe kjo është e parëndësishme për lëndën e akuzës. Do ta përsëris edhe një herë se lëndë e akuzës nuk është se përse ka shpërthyer zjarri. Hyjmë në diçka që nuk është temë e lëndës së akuzës”
Për këto pretendime, sic njofton KlanM, ka reaguar Prokuroria Themelore Publike ku apelon të ndalet keqpërdorimi i këtij procesi për diskreditim të pabazë personal dhe institucional.
“Kujtojmë se ka një procedurë ankimimi në vazhdim dhe një tjetër çështje e hapur që mund të pësojë dëme serioze nga raportimet e papërgjegjshme gazetareske dhe nga manipulimi i simpatisë publike me tragjedinë e madhe. Regjistrimi konfirmon pa mëdyshje se për Prokurorinë, gjetja profesionale e kriminalistëve gjermanë ishte një provë e rëndësishme që prokurorët e propozuan dhe e prezantuan në procedimin para gjykatës. Mbrojtja gjatë seancës kryesore ka propozuar, përveç ekspertizës me shkrim, që të dëgjohet personalisht eksperti nga Gjermania i cili ka përgatitur raportin me shkrim – provë në procedurë. Për këtë propozim është deklaruar edhe prokurori publik” – thonë nga PTHP.
Disa ditë me radhë ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali dhe ai aktual, Fatmir Mexhiti, sic njofton KlanM, janë duke u përplasur lidhur me mospagesën ndaj kompanisë BRAKO, e cila ka ndërtuar spitalin modular në Tetovë, e që në dokumentarin e publikuar në IRL, shihet se ato janë ndërtuar jashtë çdo standardit.
Për këtë çështje, ish-ministri Bekim Sali, kishte kërkuar revizion të brendshëm ku ishin detektuar mangësitë dhe kishte urdhëruar që të mos paguhet BRAKO për 3 ambulanca të reja në Shkup.
Nga ana tjetër, ministri Fatmir Mexhiti, mohoi se Ministria e Shëndetësisë ka paguar BRAKON për këto ambulanca modulare. /KlanMacedonia/