PSG-ja kërkon të vazhdoj dominimin në Francë me Galtierin

Christophe Galtier merr drejtimin e ndeshjes së tij të parë zyrtare të dielën teksa Paris Saint-Germaini do të luajë kundër Nantesin në Champions Trophy në Tel Aviv, ndeshje kjo që e ngrit perden për sezonin 2022/23 në futbollin francez, shkruan AFP të shtunën.

PSG-ja përfundoi një turne të suksesshëm parasezonal në Japoni me një triumf të thellë 6:2 ndaj Gamba Osakas – fitorja e tretë e francezëve në po aq ndeshje – dhe dëshpërimisht dëshiron të fillojë mbretërimin nën urdhrat e trajnerit Galtier me trofe.

“Ne absolutisht duhet ta fitojmë këtë trofe”, tha për faqen e klubit portieri i PSG-së, Gianluigi Donnarumma, i cili do të fillojë këtë sezon si zgjedhja e parë përpara Keylor Navasit. “Ne duam që ky trofe të fillojë sezonin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne e dimë se sa i rëndësishëm është”.

PSG-ja, e fitoi këtë trofe për tetë vjet radhazi përpara se të humbiste nga Lille në Izrael gushtin e vitit të kaluar, në fillim të sezonit të vetëm të plotë të Mauricio Pochettino si trajner. Trajneri argjentinas u shkarkua me një vit të mbetur në kontratën e tij, dhe detyra e menaxhimit të dhomës së zhveshjes së PSG-së me superyje iu dorëzua Galtierit, i cili ka një reputacion të jashtëzakonshëm në Francë pasi udhëhoqi Lillen drejt titullit të Ligue 1 në vitin 2021.

“Më takon mua të tregoj se jam i aftë të jem në krye të një ushtrie lojtarësh shumë, shumë të mirë”, pranoi Galtier për të përditshmen sportive franceze L’Equipe. “Nëse nuk do të ndihesha i aftë për të përballuar këtë presion, do të isha diku tjetër”.

PSG-ja, po ashtu fitoi një betejë të zgjatur me Real Madridin në muajin maj për të bindur sulmuesin Kylian Mbappe të qëndrojë, por Galtier do të jetë pa yllin e Francës këtë fundjavë për shkak të pezullimit të tij. Megjithatë, Galtier do të ketë në dispozicion sulmuesit tjetër, Lionel Messin dhe Neymarin, me brazilianin – që vjen nga një sezon zhgënjyes i mbushur me lëndime – duke shmangur thashethemet që PSG-ja do të ishte i hapur për largimin e tij këtë verë. Neymari do të jetë pjesë e Parisit të paktën edhe sezonin e ri.

“Unë ende dua të qëndroj këtu me klubin”, tha Neymari. “Deri më tani, klubi nuk më ka thënë asgjë, kështu që nuk e di se cilat janë planet e tyre për mua. Unë nuk kam nevojë t’i dëshmoj vlerat e mia para askujt, më duhet vetëm të luaj futbollin tim dhe duhet të jem i lumtur duke luajtur futboll”.

Galtier 55-vjeçar, është trajneri i shtatë në krye të PSG-së, që nga marrja e klubit nën pronësinë e Katarit në vitin 2011. Homologu i tij të dielën, Antoine Kombouare, ishte trajneri i parë i shkarkuar nga pronarët aktualë të Parisit. Kombouare kaloi më mirë nga Galtier në finalen e Kupës së Francës sezonin e kaluar, pasi Nantesi triumfoi ndaj skuadrës së Nices me rezultatin minimal 1:0 për të fituar këtë garë për herë të parë në 22 vjet.

“Ne të gjithë jemi gati dhe të gjithë duam të fitojmë trofeun”, tha Kombouare, i cili e humbi në edicionin e 2010 nga Marseille pas penalltive ndërsa ishte në krye të PSG-së.

Galtier ka lënë jashtë ekipit të tij për këtë ndeshje një numër lojtarësh që klubi po përpiqet t’i largojë këtë verë, duke përfshirë Georginio Wijnaldum, Julian Draxler dhe Ander Herrera, ndërsa transferimi i ri Hugo Ekitike është jashtë për shkak të një dëmtimi në kofshë. Mbrojtësi i Francës, Nordi Mukiele mund të bëjë debutimin e tij për PSG-në, pasi mbërriti nga RB Leipzig këtë javë në një marrëveshje pesëvjeçare. Ai u bë rekrutuesi i tretë i verës i kampionit në fuqi të Francës pas mesfushorit portugez Vitinha dhe Ekitike, i cili do ta kalojë sezonin në huazim nga Reimsi përpara se të përfundojë një transferim të përhershëm në fund të sezonit 2022/23. Krahas këtij trofeu, Galtier e ka për detyrë ta mbrojë titullin e kampionit të Ligue 1, si dhe të dominojë edhe në garat tjera të futbollit francez. Po ashtu, ai do të përpiqet ta udhëheq Parisin drejt trofeut të parë të Ligës së Kampionëve, sukses që po e kërkojnë me çdo kusht pronarët e klubit.

“I kam parasysh të gjitha dhe mund të them se jam i gatshëm. Shpresoj të kemi një sezon të suksesshëm, të cilin duhet ta nisim me fitimin e këtij trofeu. Në Champions nuk do të jetë lehtë, por besoj se jemi gati”, shtoi Galtier. /Agjencit/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share