Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi ka dalë përmes një deklarate në selinë rozë, që në emër të Partisë Socialistëve t’u bëj thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime.
Ajo theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’u kërkojë ndjesë publike qytetarëve të cilët u detyruan të largohen nga qendrat e votimit në mëngjes, për shkak të problemeve teknike.
“Qysh në minutën e parë KQZ duhet të siguronte funksionimin e pajisjeve në çdo qendër, por edhe më keq akoma ishte hezitimi i pakuptueshëm i KQZ-së për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga ajo vetë duke vonuar me orë fillimin e votimit në disa qendra votimi. Kjo solli largimin e kuptueshëm të shumë zgjedhësve nga qendrat e votimit. Na vjen tmerrësisht keq për këtë dhe KQZ-ja duhet të kërkojë një ndjesë publike të gjithë atyre që u larguan këtë mëngjes për këtë dështim të saj në garantimin e nisjes së votimit në çdo qendër në orarin zyrtar. Megjithatë PS u lutet të gjithë atyre që nuk mundën të votonin në orët e para të mëngjesit të kthehen gjatë ditës dhe ta kryejnë detyrën qytetare.Prandaj, thirrja jonë është votoni, votoni, votoni!”, tha Muzhaqi.
Pas deklaratës nga selia rozë, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
“Patjetër që është përgjegjësi e KQZ. S’ka arsye që ta ketë qeveria ku bën pjesë zonja”, u shpreh ai.
Kujtojmë se problemet me pajisjet e identifikimit biometrik kanë nisur që në orën 07:00 të mëngjesit duke krijuar vonesa të procesit në rreth 500 qendra votimi. Pas këtyre problematikave, KQZ nxorri urdhrin që në qendrat e votimit me probleme të këtij lloji, të vijohet me votimin në mënyrë manuale.
Në orën 10:50, ishte vetë Kryeministri Edi Rama i cili pasi votoi në Surrel u shpreh se qytetarët nuk duhet të dekurajohen nga kjo situatë e krijuar dhe të shprehin bindjen e tyre me votë./tvklan.al