PS fiton zgjedhjet në Bashkinë e Kukësit

Socialistët kanë shpallur fitoren në zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Kukësit.

Kandidati Albert Halilaj ka fituar me një diferencë prej më shumë se 5594 votash, kundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”,Emri Vata.

Sipas të dhënave të fundit Albert Halilaj i PS-së ka marrë 13026 vota, ndërsa Emri Vata i koalicionit të djathtë 7429 vota, ndërsa 327 fletë janë të pavlefshme.

Sipas kryeministrit Edi Rama ky rezultat “flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin”.

Pas këtij rezultati të marrë, Halilaj shprehu mirënjohjen ndaj qytetarëve për besimin që i dhanë ndërsa premtoi se do t’i japë Kukësit një promovim tjetër. Premtimi i parë i Halilaj ishte nxitja e investimeve në infrastrukturë.

Në zgjedhjet e së dielës në bashkinë Kukës votuan mbi 45 përqind e zgjedhësve, ndërsa nuk u shënuan incidente. Pjesëmarrja është më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 14 majit, ku morën pjesë 52. 79 përqind e zgjedhësve.

Zgjedhjet në Kukës u zhvilluan pas videoskandalit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici, vetëm disa javë pasi fitoi zgjedhjet, ku ai shfaqet duke kryer marrëdhënie intime me nje vajze në ambientet e zyrës së bashkisë. Pas publikimit të kësaj video, Gjici u shkarkua nga kryeministri Rama dhe ndodhet në burg.

Klan News

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share