Protestuesit serbë në Komunën e Zveçanit janë mbledhur edhe sot, dhe po qëndrojnë pranë barrikadave me gjemba, të vendosura ditë më parë nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.
Megjithatë në hyrje të qytetit të Mitrovicës, për dallim prej ditëve të tjera, kishte prezencë të ushtarëve të KFOR-it, transmeton klankosova.tv.
Me të hyrë në patrullim, KFOR-i amerikan, është interesuar për gazetarët prezentë në atë zonë, nëse kanë ndonjë problem.
Ndërkohë një protestues serb, iu drejtohet atyre me pyetjen se ‘Ku është flamuri i Kombeve të Bashkuara?’.
”Ekziston një mision i Kombeve të Bashkuara, në të cilin ju ishit pjesë e tij. Tani, ju jeni këtu. Unë ju pyes ju se ku është flamuri i Kombeve të Bashkuara? Ku është flamuri, po të pyes ty, ku është flamuri i Kombeve të Bashkuara? Është dita e pestë, dhe nuk ka flamur të Kombeve të Bashkuara”, dëgjohet t’i thotë ai ndër tjera, ushtarit të KFOR-it.
Derisa sot, në Zveçan deri më tani, po shënohet situatë kryesisht e qetë.