Këtë të martë është zhvilluar një tjetër protestë para Bashkisë së Tiranës. Disa prej protestuesve kanë hedhur molotov, kapsolla e tymuese në drejtim të godinës.
Po ashtu në drejtim të bashkisë janë hedhur edhe vezë e sende të tjera. Disa prej protestuesve nga ana tjetër hoqën rrethimin metalik të vendosur nga forcat e policisë.
“Për çfarë arsye vendos skafandër? Jemi 3 këshilltarë duam të shkojmë në vendin e punës. Situatë e përsëritur për të 5 javë”, tha Dorian Teliti, i cili është këshilltar në Bashkinë e Tiranës.
Kjo është protesta e disatë që zhvillohet para bashkisë. Ato janë thirrur nga përfaqësuesit e “Aleancës për Teatrin” dhe opozita duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Kjo për shkak se disa nga ish-drejtorët e bashkisë së Tiranës janë vënë në pranga nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.
Protesta e sotme ishte paralajmëruar edhe nga policia e cila ka marrë masat për mbarëvajtjen e tubimit. Për këtë arsye deri në përfundim të protestës është bllokuar përkohësisht qarkullimi i makinave në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës./tvklan.al