Një grup i vogël njerëzish ka protestuar këtë të premte para godinës së ambasadës së Serbisë në Tiranë, në të njëjtën ditë kur Gjykata Speciale në Hagë dënoi me 26 vite burg Salih Mustafën, një nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton CNNA2.
Protestuesit mbanin në duar flamuj shqiptarë, një banderolë me një hartë ku përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare pjesë të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe flamurin me mbishkrimin “Autochtonous”.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte dhe të mbyllur në dhomat e paraburgimit në Hagë janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.