Mbrëmë në Beograd është mbajtur protesta më masive kundër eksploatimit të litiumit e ashtuquajtur “Miniera nuk do të ketë”. Një pjesë e qytetarëve kishin bllokuar dy stacione hekurudhore në Beograd. Ka ndërhyrë policia serbe kurse nuk bëhet I ditur bilanci I të arrestuarve.
Në Serbi kanë nisur debatet për numrin e protestuesve në protestën e mbrëmshme në Beograd, që nga organizatorët u quajt protesta më masive kundër Qeverisë Vuçiq, e ku kanë marrë pjesë mbi 40.000 njerëz ndërkaq autoritetet qeveritare serbe pretendojnë se numri I protestuesve ka qenë nga 24 deri 27.000 njerëz.
Pas protestave të mbrëmshme kundër hapjes së minierave të litiumit, me një paraqitje të jashtëzakonshme televizive u prononcua Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, pas protestës kanë ndodhur gjëra që sipas tij janë pritur.
“Pushtimi i hekurudhës ndërkombëtare në Beograd, ndalimi I autostradës dhe bllokimi I urës, nuk janë kontribut për demokracinë por zbatimi I vullnetit dhe terrorit të pakicës ndaj shumicës” – tha Vuçiq.
Në orët e hershme të mëngjesit policia kishte rrethuar qytetarët dhe I kishte larguar nga stacioni hekurudhor. Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi për 14 të arrestuar.
Nga opozita serbe kanë akuzuar për dhunë policore.
“Ishin dërguar 200 policë me pajisje të plotë dhe së paku 40-50 policë civil. Kundër qytetarëve u dërguar kordone policore sikurse të ishin terroristë” – tha Monika Tepiç, lidere opozitës.
Gjatë tri javëve të kaluara protesta të ngjashme janë mbajtur në rreth 50 qytete të Serbisë, ku protestohet kundër hapjes së minierave të litiumit në Serbi.
Autoritetet serbe kishin arrestuar katër persona të premten vonë, të cilët dyshohet se planifikonin të shkaktonin dhunë dhe trazira gjatë protestave.
Disa orë para arrestimit të tyre, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se shërbimet e sigurisë ruse kanë paralajmëruar se në Serbi po përgatiten trazira masive, “që kanë për qëllim përfundimtar një grusht shtet dhe rrëzimin e udhëheqjes së zgjedhur në mënyrë të ligjshme”. /tvklan.mk/