Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pretendon se protestat e përditshme të studentëve dhe qytetarëve e që mbështeten nga opozita serbe, janë pjesë e një plani, sic thotë ai, të fuqive botërore për të përfunduar sa më shpejtë çështjen e Kosovës, për shkak se Serbia kundërshtoi Rezolutën e OKB-së për Srebrenicën dhe se këto forca nuk pajtohen që Serbia të jetë fuqia kryesore në rajon.
Në kohën kur protestat në Serbi kanë paralizuar universitetet por edhe disa qytete, Vuçiqi gjatë një tribune me të rinjtë e partisë së tij SNS, u zotua se me asnjë çmim nuk do ta njoh Kosovën.
“Çfarë mendoni, përse u duhet kjo punë e ndyrë, e këtyre fuqive të huaja, që nuk janë nga rajoni. Arsyeja e parë është Kosova dhe e dijnë se derisa unë jam president për asnjë çmim nuk do ta pranojmë pavarësinë. Njerëzve të fuqishëm të botës kjo u duhet që sic tha Presidenti Putin, që të mos munden të thirren në të ashtuquajturin “Precedencë e Kosovës” kur flitet për rajonet Kerson, Zaporozhje, Donjeck, Luhansk dhe Krimeja” – tha Aleksandar Vuçiq.
Ndërkohë, Studentët në Beograd dhe qytete tjera kanë vazhduar protestat pas tragjedisë së Novi Sadit që mori 15 viktima.
Pas protestës masovike në qendër të Beogradit, ata kanë protestuar edhe para Prokurorisë Supreme të Serbisë, duke I bërë thirrje gjyqësorit që të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e tragjedisë.
Ndërkaq, opozita dhe aktvistët kanë protestuar edhe para Kuvendit të Beogradit duke kundërshtuar Buxhetin 2025, për të cilën thonë se ka elemente korruptive. Sikurse në shumë raste, edhe gjatë kësaj proteste janë shënuar incidente. /tvklan.mk/