Protesta në Izrael kundër Netanjahut

Demonstruesit kërkojnë marrëveshje për lirimin e pengjeve, shpresë për arritjen e një marrëveshje mes Hamasit dhe Tel Avivit

Rritet zemërimi ndaj kryeministrit Benjamin Netanjahu. Mijëra qytetarë protestuan mbrëmjen e së shtunës në disa qytete izraelite, duke kërkuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve të Hamasit.

Disa protestues mbanin pankarta duke fajësuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për sulmet e nisura nga Hamasi më 7 tetor.

“Unë nuk dua asgjë nga qeveria. Unë dua që kjo qeveri të largohet. Kjo është qeveria më gjakatare. Ajo është përgjegjëse për shkatërrimin e shoqërisë izraelite, të të gjitha marrëdhënieve të mira me fqinjët.Përveç terrorit që po zhvillohet mes palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe pa përmendur atë që po ndodh në Gaza tani.”

Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë demonstruesit, duke hedhur ujë me presion. Pas shuarjes së protestës e cila pati edhe episode dhune u arrestuan 18 persona.

Ndërkohë, përpjekjet për paqen dhe lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë. Mediat izraelite thonë se ndërmjetësuesit po bëjnë përparim në një marrëveshje për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura në Gaza si dhe palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Një delegacion izraelit gjendet në Katar për negociata, përfshirë dhe vlerësimin e mundësisë së një armëpushimi në Gaza.

Kjo lëvizje nga Kabineti i Luftës vjen pas shqyrtimit të përmbajtjes së bisedimeve ndërmjetësuese të zhvilluara në Paris me SHBA-në, Egjiptin dhe vetë Katarin.

Marrëveshja e armëpushimit përfshin lirimin e deri në 40 grave dhe pengjeve të moshuar në këmbim të deri në 300 të burgosurve palestinezë. Pauza e propozuar gjashtë-javore e luftimeve do të përfshijë gjithashtu edhe lejimin e qindra kamionëve për të sjellë ndihmat humanitare në Gaza.

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share