Propozimi i VMRO-DPMNE-së që, me ndryshimet kushtetuese, të ndryshojë edhe modeli i shtetit nga multietnik në unitar, sipas Alternativës bëhet për përfitime elektorale.
Sipas kësaj partie, propozimet e tilla krijojnë mundësi të hapjes serioze të temës së ridefinimit, që partia e Gashit e promovon.
“Megjithëse propozimi i partisë opozitare maqedonase është retrograd dhe, si i tillë, i papranueshëm për ne, duam të kujtojmë opinionin se, AlternativA – duke e parë asimetrinë që ekziston mes shoqërisë multietnike dhe shtetit njëetnik – ka propozuar qëmoti që të bëhet një ridefinim i preambulës së kushtetutës, në mënyrë që ajo ta reflektojë shoqërinë e vendit tonë. Prandaj, ne kemi kërkuar që, në kushte të paqes dhe pa asnjë presion, ta hapim këtë temë dhe të diskutojmë se a ia kemi dalë të ndërtojmë shtet koheziv ndërmjet shoqërisë dhe shtetit”, thonë mga Alternativa.
Nga partia e Gashit kanë një propozim sa i përket modelit të shtetit, duke i hequr sipas tyre të gjitha atributet etnike, përcjell Klan..
“Duke parë se Maqedonia e Veriut ka një shumicë më të madhe (maqedonasit etnikë – 54%), një shumicë të dytë (shqiptarët – 30%) dhe një grup të minoriteteve (6-7%), propozimi ynë ka qenë që Maqedonia e Veritu të definohet si “shtet i kombit maqedonas, kombit shqiptar dhe bashkësive etnike”. Për të qenë kreativë në këtë temë, AlternAtivA e ka edhe propozimin tjetër, që Maqedonia e Veriut të definohet në preambulë si “shtet i qytetarëve të saj”, duke i hequr të gjitha atributet etnike nga ndërtimi i shtetit”, thuhet në reagim
Për Alternativën kjo është temë që nuk duhet të përdoret për qëllime elektorale, ndërsa ata si parti, mbeten të gatshëm dhe të hapur të diskutojnë me argumente dhe pa paragjykime./KlanMacedonia