Opozita: Kurti nuk ka qenë i autorizuar ta heqë njohjen reciproke
Dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike vlerësojnë se Plani Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është në favor të Kosovës, pasi s’e ka njohjen reciproke në qendër, por formimin e Asociacionit.
Deputetë të PDK-së dhe LDK-së thanë se është shqetësues fakti që kjo marrëveshje nuk ka njohje përfundimtare dhe kjo do të thotë vazhdim i “status quos”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë së mënyra e udhëheqjes së dialogut nga kryeministri Albin Kurti i ka degraduar bisedimet me Serbinë në një nivel më të ultë.
Ai tha se në të kaluarën njohja reciproke ka qenë në tavolinë, ndërsa tani është vetëm Asociacioni.
“Unë mendoj se forma siç i ka udhëhequr kjo Qeveri, apo ky kryeministër, bisedimet me Serbinë vetëm e ka ulur nivelin e bisedimeve dhe i ka degraduar bisedimet në raport me Serbinë”.
“Në të kaluarën ka qenë në qendër njohja reciproke mes dy shteteve, në këtë rast mes Republikës Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Tani nuk e kemi njohjen, por fatkeqësisht është një Asociacion në qendër. Pika 10 po më duket, e obligon Qeverinë e Kosovës që t’i pranojë të gjitha marrëveshjet e kaluara”, është shprehur Beqa.
Ai tha se Kurti nuk ka qenë i autorizuar që ta largojë njohjen reciproke nga kjo marrëveshje, dhe sipas tij kjo marrëveshje na dërgon në një “status quo” që nuk do të jetë në favor të qytetarëve të Kosovës.
“Si shtet kemi obligim t’i zbatojmë marrëveshjet të cilat nënshkruhen, por marrëveshjet duhet të jenë në harmonizim me Kushtetutën. Duhet që t’i ruajmë raportet edhe me aleatët, i kemi parë edhe deklarimet e Shteteve të Bashkuar të Amerikës por edhe të Bashkimit Evropian që nuk po kërkohet nga Qeveria e Kosovës marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën”.
“Në të njëjtën kohë mendoj që kryeministri nuk ka qenë i autorizuar ta heqë nga tema njohjen reciproke dhe mendoj që kjo marrëveshje na fut në një status quo, që nuk shkon në favor të qytetarëve të Kosovës duke pasur parasysh numrin e lartë të migrimit që e kemi”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, tha se edhe për partinë e saj ka qenë shqetësuese fakti që kjo marrëveshje nuk ka njohje përfundimtare.
Krasniqi tha se problem tjetër në këtë marrëveshje është edhe neni 7 dhe mos-përfshirja e të pagjeturve në këtë marrëveshje.
“Dakordimi mes palëve, domethënë mes kryeministrit dhe presidentit Vuçiq, gjithashtu edhe palëve ndërkombëtare, për neve ka ngritë shqetësimet tona, sepse ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kemi pritur që ky plan të ketë njohje përfundimtare, jo një njohje bazë siç është parë në këtë plan”.
“Gjithashtu ka qenë shqetësues neni 7 për arsye se po i jepet më shumë autonomi shtetit serb. Shqetësuese është po ashtu që tejkalimi i së kaluarës, ku kryeministri Albin Kurti ka ardhur në pushtet me disa parime duke thënë se nuk do të ketë dialog pa u gjetë i pagjeturi i fundit, ndërsa në këtë marrëveshje shihet një barazim mes viktimave dhe agresorit serb që është shqetësuese për të gjithë qytetarët e vendit. Siç duket tash e dy vjet ai i ka shkelë të gjitha parimet prej që ka ardhur në pushtet”, tha ajo.
Ajo, si edhe Beqa, tha se marrëveshje e dërgon Kosovën në një status quo ku nuk do të ketë përfundim të dialogut, vetëm zvarritje.
“Marrëveshja na çon në një status quo dhe që nuk pritet asgjë tjetër përveç asaj. Ne kemi pritur që të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, jo të ketë tejzgjatje ky proces. Gjithashtu e kemi parë që në këtë marrëveshje është pranimi i të gjitha marrëveshjeve të cilat kanë qenë në të kaluarën në vitin 2013 dhe 2015 ku kryeministri i tanishëm kur ka qenë në opozitë ka qenë kundër këtyre marrëveshjeve, ka pasur protesta të dhunshme, ka pas humbje të jetëve të njerëzve dhe tash po lypë modalitet që të kalojnë këto marrëveshje”, tha ajo.