Propozimi europian, Lajçak dëgjon qëndrimin e opozitës

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovoë ka zhvilluar takim me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, në një konferencë për media pas takimit me emisarin e ka thënë se ka shprehur rezerva mbi Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Ai tha se PDK-ja e sheh atë si një “marrëveshje të përkohshme” që nuk e ka në qendër njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë por e ka në qendër Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pa njohje të ndërsjellë ne do të kemi vazhdim të dialogut, ashtu siç e parasheh neni 6 i marrëveshjes; do të ketë pra një vazhdimësi të pafundme të këtij procesi i cili do të jetë kush e di sa i gjatë, por që krijon një status-quo të re, e cila nuk e përfundon konfliktin e ngrirë me Sebinë”, tha Krasniqi.

“(Marrëveshja) nuk i adreson qëllimet shtetërore të Kosovës dhe që përtej hapave potencialisht pozitivë përpara, krijon po ashtu edhe shumë pikëpyetje, për të cilat kryeministri i Kosovës, si përgjegjësi kryesor i kësaj çështjeje, nuk e ka dhënë asnjë përgjigje”, u shpreh Krasniqi.

Lajçak po qëndron në Kosovë nga dita e enjte, prej kur ka zhvilluar takime me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit.

Ndërkaq, Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes.

Lajçak, pas takimit në PDK, do të zhvillojë takime edhe me partitë tjera opozitare të Kosovës./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share