Prokuroria nis procedurë kundër 19 vjeçarit nga Shkupi – dyshohet për disa vjedhje

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka iniciuar procedurë kundër një 19-vjeçari nga Shkupi, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer dy vjedhje të rënda, një vjedhje, një tentativë për vjedhje të rëndë dhe një rrëmbim të automjetit, përcjell KlanM.

“Sipas dëshmive të siguruara deri më tani, i dyshuari më 14 qershor nga një lokal në bulevardin ‘Sllovenia’ ka marrë 700 euro dhe 11.000 denarë. Duke përfituar nga fakti se lokali ishte i mbyllur përkohësisht për punë, ai me forcë fizike ka hapur dyert, ka hyrë brenda dhe ka marrë paratë nga një prej dhomave të punës. Më 7 gusht, ai sërish ka hyrë me forcë në të njëjtin lokal me qëllim që t’u marrë sendet e luajtshme të tjerëve, por është vënë re nga një punonjës dhe është larguar me vrap. Më 27 gusht, ai në mënyrë të pacipë ka hyrë në një banesë në rrugën ‘Bllagoj Davkov’ nga dritarja e hapur në dhomën e gjumit dhe derisa pronari ishte duke fjetur, ka marrë një çantë shpine me celular, kufje, një mini-altoparlant dhe sende të tjera me vlerë totale prej rreth 20.000 denarësh. Më pas, më 29 gusht, nga vendparkimi në rrugën ‘Maksim Gorki’, i dyshuari në mënyrë të kundërligjshme ka marrë veturën e tjetrit – furgon Mercedes Vito. Vetura ishte e hapur, dhe çelësi ishte lënë në bravën e ndezjes, kështu që i dyshuari e ka nisur dhe është larguar me të në drejtim të panjohur. Ai më 31 gusht ka hyrë në një shtypshkronjë në rrugën ‘Ankarska’ dhe nga njëra nga dhomat e punës ka marrë një çantë në të cilën ka pasur telefon celular, një portofol me 500 denarë, dokumente, kartela bankare dhe sende të tjera në vlerë të përgjithshme prej 36.000 denarësh”, thonë nga PTHP.

Për shkak të rrezikut që i dyshuari të ikë për t’iu shmangur ndjekjes penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share