Prokuroria Themelore Shkup kërkon paraburgim për shkupjanin 20-vjeçar i cili dyshohet se ka dhunuar tre fëmijë për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale në vazhdim – Dhuna nga neni 386. Ngjarja ka ndodhur me 9 shtator, para një shkolle të mesme në lagjen Kisella Vodë.
“Përderisa njëri nga fëmijët e dëmtuar 15 vjeçar ishte ulur në bar-kafe me shokët e klasës, i dyshuari së bashku me dy persona të tjerë të panjohur ka hyrë brenda dhe e ka kapur fëmijën nga qafa dhe me forcë e ka nxjerrë jashtë. Duke e shtrënguar në qafë, ai e ka çuar në garazhe nëntokësore në afërsi dhe e ka goditur me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të rënda fizike – thyerje të dy dhëmbëve të përparmë, buzë të çara dhe tronditje në tru. Më pas i dyshuari, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, ka hyrë në oborrin e shkollës, i është afruar dy fëmijëve të tjerë 15-vjeçarë, i ka goditur me shuplakë dhe grusht dhe u ka shkaktuar lëndime fizike. Dhuna e të dyshuarit ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek nxënësit e pranishëm dhe tek dëshmitarët e tjerë të ngjarjes”, thonë mes tjerash nga Prokuroria.
Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë për rrezik ikjeje, ekziston frika e bazuar se i dyshuari do ta pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët dhe rrethana të veçanta që arsyetojnë frikën se do të kryejë vepër penale me të cilën kërcënon, prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit./KlanMacedonia