Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka marrë 97 licenca pune nga kompanitë e ndërtimit të kategorisë A, që përfshijnë ndërtimin e institucioneve shtetërore, dhe kategorisë B, që përfshijnë çdo lloj ndërtimi tjetër. Këtë lajm e kumtoi Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, njëherit edhe zv.kryeministri i Qeverisë, Aleksandar Nikollovski, duke thënë se licencat janë marrë për shkak se kompanitë nuk i përmbushin kushtet elementare për t’u pajisur me një të tillë.
ALEKSANDAR NIKOLLOVSKI – ZV. KRYEMINISTËR
Nga 634 licenca që janë kontrolluar, në 97 të tilla, apo rreth 15% e tyre, është konstatuar se pas marrjes së licencave, personat juridik kanë ndaluar kryerjen e obligimeve ligjore në bazë të të cilëve kanë marrë licencat. Prandaj kemi vendim për marrjen e licencave. Shkurt thënë, personat juridik, në momentin kur aplikojnë për licencë, i përmbushin kushtet e nevojshme dhe pastaj nuk respektojnë vendimin për përmbushjen e kushteve dhe për këtë nuk e informojnë ministrinë.
Në deklaratën e tij, Nikollovski tregoi edhe detaje nga aksioni i cili pritet të përfundojë deri të martën, ku do të zbulohen edhe emrat e kompanive që u është marrë licenca.
ALEKSANDAR NIKOLLOVSKI – ZV. KRYEMINISTËR
“Nëse ndajmë në numra, licenca e kategorisë A për ndërtime u është marrë 13 kompanive, 34 kompanive u është marrë licencë e kategorisë B për ndërtim. Dy kompanive u është marrë licenca për mbikëqyrje të punëve ndërtimore në kategorinë A, gjashtë kompanive të tjera u është marrë licenca e kategorisë B për mbikëqyrje të punimeve ndërtimore. Tri kompanive për projektim të objekteve në kategorinë A, 20 kompanive për planifikim dhe projektim të objekteve në kategorinë B dhe disa të tjerë.
Aksioni për kontrolle në kompani dhe marrja e licencave nga kompanitë që nuk përmbushin kushte nga ana e Ministrisë për Transport buron pas ngjarjes tragjike në Koçani, ku jetën e humbën 59 persona./tvklan.mk/