SHOLC: TË TEJKALOHEN KONFLIKTET E BRENDSHME NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, kanë firmosur këtë të enjte 3 marrëveshje të ndryshme si pjesë e samitit të “Procesit të Berlinit”. Bëhet fjalë për marrëveshje që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në fillim të Samitit, në Tuitter ka shkruar se një javë pas vizitës së saj në rajon, është mirë të shihen në Berlin, partnerët nga Ballkani Perëndimor.
“Jemi këtu për të thelluar bashkëpunimin ekonomik duke nisur nga energjetika. Pakoja ynë prej 1 miliardë euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë që bashkërisht ta formësojmë të ardhmen tonë të përbashkët energjetike” – ka shkruar në Tuitter Fon der Lajen.
Kancelari gjerman, Olaf Sholc, ka deklaruar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë të Evropës së lirë dhe demokratike dhe se puna e përbashkët e BE-së dhe rajonit është që të shndërrohet në realitet e ardhmja e premtuar evropiane.
“Takimi i sotëm është mundësi që të bisedohet për shumë sfida me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Procesi I Berlinit jo vetëm që mund ta lirojë potencialin e rajonit, por edhe ta përshpejtojë rrugën e tij drejt BE-së. Në kohën e luftës brutale të Rusisë kundër Ukrainës, është koha që të tejkalohen konfliktet e brendshme”, tha Olaf Sholc – Kancelar Gjerman.
Në samitin e “Procesit të Berlinit” fokusi ka qenë kriza energjetike dhe mënyrat alternative që duhen gjetur për ta siguruar atë. Kryeministri Kovaçevski në Sesion e energjisë tha se nevojitet bashkëpunim i fortë dhe i ngushtë i gjithë rajonit për të arritur qëllimet ambicioze për tranzicion energjetik dhe për t’i tejkaluar sfidat që na i imponon kriza ekonomike dhe energjetike./KlanMacedonia/