Me mijëra tifozë i bënë një pritje speciale kombëtares spanjolle të futbollit për femra në Madrid, pas fitimit të Kupës së Botës.
Skuadra e Horge Vilda mundi Anglinë 1-0 në finale, duke finalizuar një event unik që theu rekorde sa i përket spektatorëve si edhe shikueshmërisë televizive.
Kjo vëmendje ka shtuar shpresat për rritjen e interesimit të futbollit të femrave anembanë botës.
Edicioni i nëntë i Kupës së Botës u organizua nga Australia dhe Zelanda e Re.
Mendohet se në total në nëntë qytetet që priten sfidat e kompeticionit kanë qenë afërsisht dy milionë tifozë.
Ndërsa për finalen Spanjë-Angli të pranishëm në stadium ishin 75,784 spektatorë.
Takim u vendos nga goli i Olga Carmona, e cila shprehu emocionet për pritjen unike.
“Ky është një moment shumë i veçantë për të gjithë Spanjën, por edhe shumë i vështirë për mua tani! Jam shumë krenare që sjell një lumturi të tillë në vend dhe tani ju të gjithë keni trofeun që e prisnit prej një kohe të gjatë. Jo vetëm atë që mbajmë në kraharor, por të gjithë yjet në qiell që kanë qenë aty për ne.”
Ndërsa kapitenia Ivana Andres tha se ishte mjaft mirënjohëse për njerëzit, për dashurinë e treguar, forcën dhe energjinë që i kanë dhënë ekipit. “Fitoren ia dedikojmë Spanjës” tha ajo.
Klan News