Prishtinë: Bëhen bashkë krerët e federatave të futbollit të Shqipërisë, Kosovës e RMV-së

DUKA, SEJDINI, ADEMI: SUKSESI I KOMBËTARES SHQIPTARE NË “EURO 2024” I JASHTËZAKONSHËM

Kualifikimi i Kombëtares Shqiptare në Euro 2024 është suksesi më madh i futbollit  shqiptar në vitin e 2023,  ndërsa Maqedonia e Veriut dhe  Kosova, ishin pa fat në kualifikime. Kështu e kanë vlerësuar vitin 2023 tre presidentët e Federatave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Manifestimi “Laureatët e vitit 2023” në Prishtinë i organizuar nga Federata e futbollit të Kosovës, bëri bashkë tre presidentët e Federatave të Futbollit, Armand Dukën e Shqipërisë, Muamet Sejdinin e Maqedonisë së Veriut dhe Agim Ademin e Kosovës. Padyshim se suksesi historik i futbollit shqiptar ishte kualifikimi në EURO 2024.

Gjatë një prononcimi për Klan Maqedoni, Duka ka falënderuar futbollistët e të gjitha trojeve shqiptare dhe ka ftuar shqiptarët që ta mbështesin kombëtaren në Kampionatin Evropian.

“Kështu që duke qenë se është fund viti nuk do të doja edhe njëherë të bëjmë analizë por doja që të falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar, kanë kontribuar pë arritjen e rezultaeve, të gjithë ata që kanë dhënë ndihmën e tyre, kryesisht futbollistët e ekipit kombëtar dhe gjithë futbollistët shqiptar kudo që luajnë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe në gjitha trojet tjera ku ka futbollist shqiptar. Dhe, duke qenë fund viti iu uroj gëzuar festat, gëzuar Vitin e Ri dhe të jetë një vit akoma më i mbarë 2024 për të gjithë shqiptarët. I ftojë të gjithë të mbështesinë kombëtaren në Gjermani për më shumë sukses”, tha Armand Duka.

Kreu i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdini, i quajti të pafat kualifikimet për Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka uruar shumë suksese për kombëtaren shqiptare.

Mund të them që nuk patëm shumë fat në këto kualifikime, jo që luajtëm dobët, jo që luajtëm keq, lojtarët dhanë maksimumin edhe të Maqedonisë edhe të Kosovës. Po ja që fati nuk ishte në anën tonë. Sa i përket Kombëtare  shqiptare unë me gjithë zemër iu dëshiroj shumë sukses në Kampionatin Europian që do të zhvillohet  vitin e ardhshëm në Gjermani, fillimisht në ndeshjen e parë kundër Italisë në Dortmund”, tha Muamet Sejdini.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, potencoi se futbolli shqiptar po përjeton një ekspansion të madh. Sipas tij, kjo u dëshmua në garat evropiane.

“Madhështia e 2023 e futbollit shqiptar ka qenë se 11-të ekipet shqiptare kanë marë pjesë në garat ndërkombëtare në garat e UEFA-s. Pra, është një sukses i jashtëzakonshëm i këtij viti. S’ka ndodhur kurnjëherë me qenë kaq shumë ekipe shqiptare. Apo mund të them lirisht se asnjë popull nuk i ka kaq shumë ekipe në arenën ndërkombëtare”, tha Agim Ademi.

Tre presidentët, Duka Sejdini dhe Ademi, uruan që viti 2024 të sjell suksese më të mëdha futbollit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share