Prezantohet linjë e re kreditore e bankës zhvillimore

KREDIA DESTINOHET  PËR KOMPANITË E DIGJITALIZIMIT DHE TRANSFORMIMIT DIGJITAL

Kryeministri Dimitar Kovaçevski së bashku me ambasadoren e Zvicrës, Veronika Ulman Marti, dhe drejtorin e Bankës Zhvillimore, Kire Naumov, promovuan linjën e re kreditore për digjitalizim dhe transformim digjital për kompanitë. Kovaçevski në fjalën e tij theksoi se qëllimi i qeverisë është që vendi të ecë përpara, të ketë rritje dhe zhvillim të fuqishëm ekonomik.

Banka Kombëtare për Zhvillim prezantoi linjë të re kredie e cila është e destinuar për kompanitë e digjitalizimit dhe transformimit digjital. Kredia parasheh kushte të favorshme për kompanitë edhe atë me norma të ulëta të interesit,  shfrytëzues të së cilës mund të jenë kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme. Drejtori i Bankës për Zhvillim, Kire Naumov, njoftoi se linja kreditore do të realizohet përmes bankave të kualifikuara pjesëmarrëse

”Norma e interesit për përdoruesit deri në fund do të jetë maksimumi 2.9 për qind. Kompanitë do të mund të shfrytëzojnë  një maksimum prej 300,000 euro për blerjen e aseteve fikse deri në 8 vjet me një periudhë mospagimi Grejs period deri në 12 muaj, dhe një maksimum prej 100,000 euro për kapital qarkullues deri në 5 vjet me një periudhë mospagimi deri në 6 muaj” – tha Kire Naumov, drejtor i bankës për zhvillim.

Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, vlersoi se digjitalizimi u mundëson kompanive të zhvillohen më shpejt dhe me efikasitet. Sipas tij,  Qeveria po bën gjithçka që vendi të ketë zhvillim dhe rritje të fuqishme ekonomike.

”Shkalla e digjitalizimit dhe zhvillimi ekonomik janë të lidhura drejtpërdrejt, ato jo vetëm që hapin dyert për mundësi të reja për kompanitë, por edhe i bëjnë ato më konkurruese dhe hapin mundësi të reja biznesi për punësimin e gjeneratave të reja të të diplomuarve nga universitetet tona” – tha Kovaçevski.

Ambasadorja e Zvicrës Veronika Ullman Marty, theksoi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen ekonomike.

”Bazuar në përvojën zvicerane, pjesëmarrja aktive e sektorit privat në përcaktimin e politikave dhe masave që prekin ato është një parakusht për krijimin e një mjedisi që do të lejojë ekonominë të lulëzojë. Kjo është arsyeja pse Zvicra mbështet Bankën Kombëtare për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut për të kryer një analizë të nevojave financiare të digjitalizimit, duke iu drejtuar kompanive në të gjithë vendin” – deklaroi Veronika Ullman Marti, ambasadore e Zvicrës.

Nëpërmjet zbatimit të linjës së kredisë për mbështetjen e kompanive të prekura nga kriza e energjetike dhe ekonomike në fillim të vitit 2023, Banka Zhvillimore me mbështetjen e Qeverisë, mbështeti 262 kompani në vlerë prej 7.3 milionë euro. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share