Presidentja Siljanovska do ta nënshkruajë dekretin për ndryshimet e Ligjit për planifikim urbanistik

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot paralajmëroi se do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Ligjin për urbanistikë që u votuan më 13 gusht në Kuvend, por i bëri thirrje ministrit përkatës që menjëherë të nisë punën për përgatitjen e një ligji të ri me pjesëmarrjen e sektorit joqeveritar dhe opozitës në mënyrë që, siç tha ajo, “të zgjidhen problemet me kaosin në urbanizëm”.

Në pyetjen e gazetarëve pas thirrjes nga organizatat civile për të mos e nënshkruar dekretin, Siljanovska Davkova deklaroi se ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski i sqaroi arsyet e ndryshimeve ligjore dhe tha se pa to nuk do të mund të transferohen mjete për komunat për realizimin e projekteve të rëndësishme. Ajo theksoi se prapa ligjit qëndrojnë 64 deputetë, ndërsa iu referua rrjedhës së debatit për ligjin në komisionin kryesor parlamentar dhe seancën plenare, amendamentet e padorëzuara dhe mungesën e debatit.

“Si në fushatë, ashtu edhe në fjalimin tim inaugurues, thash se do të shtrija veton, se fillimisht do të bisedoja me propozuesit dhe deputetët. Kam biseduar me propozuesin, i kam kërkuar të shpjegojë arsyet e procedurës së shkurtuar, më ka shpjeguar, i dini arsyet. Ai thotë se është e pamundur të realizohet ndihma për komunat nëse nuk ka mundësi të realizohen objektet kyçe si shkolla, kopshte, garazhe, nëse mjetet nuk mund të transferohen. Ai më shpjegoi këto ndryshime si të përkohshme ose kalimtare. Ai tha se është i gatshëm që menjëherë të formohet komision i gjerë me përbërje heterogjene, duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare”, tha Siljanovska Davkova.

Ajo theksoi se çdo ditë merr indikacione edhe nga sektori joqeveritar dhe theksoi se do të kërkojë gjithmonë të trajtohet si partnere.

Ajo priste se do të ketë amendamente, sepse siç tha ajo, OJQ-të gjithmonë kanë ndihmuar me amendamentet, por tani nuk janë dorëzuar.

“Edhe sikur ta kthej ligjin, pas tij janë 64 deputetë, duhet të ketë një shumicë absolute prej 61 për ta nënshkruar. Nëse nuk do të kishte diskutim, nëse nuk do të votohet kundër, atëherë mendoj se kjo situatë do të përsëritet. Dhe prandaj konkludoj, do ta nënshkruaj ligjin, mendoj se duhet bërë sot ose nesër”, deklaroi presidentja Siljanovska Davkova.

Ajo i bëri thirrje ministrit të Transportit që të fillojë punën për ligjin e ri dhe siç tha, “ta zgjidhim problemin sistematikisht sepse të gjithë e dimë që ligji nuk është i mirë”.

Kuvendi i votoi ndryshimet ligjore më 13 të këtij muaji, pasi ato morën mbështetje në komisionin amë parlamentar në të njëjtën ditë, pa amendamente dhe pa diskutim nga deputetët. Vërejtje kanë bërë edhe përfaqësues të iniciativës O2, të cilët së bashku me disa organizata të tjera joqeveritare dje i kanë bërë apel presidentes që të mos e nënshkruajë Dekretin për ligjin.

Sipas organizatave të shoqërisë civile, me ndryshimet në Ligjin për urbanistikë do të futen PDU-të e vjetërsuara, parametrat dhe matjet e të cilave nuk do të korrespondojnë me realitetin dhe do të shkatërrohet hapësira publike. Ndaj tyre, qeveria pretendon se arsyeja kryesore e ndryshimeve është thjeshtimi i procedurave për realizimin e objekteve të planifikuara nga komunat me fondet që do të marrin nga paketa e mjeteve të parashikuara nga ribalanci i Buxhetit. 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share