Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për prestigjiozen “Reuters” ka akuzuar Serbinë dhe Presidentin Vuçiç se qëndron pas sulmit në veri ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.
“Reuters” shkruan se beteja me armë ka nxitur shqetësime ndërkombëtare për stabilitetin në Kosovë.
“Kosova është nën sulm. Grupi i armatosur thjesht zbatoi urdhërat dhe qëllimet e Serbisë si shtet dhe Vuçiçit si udhëheqës”, tha Osmani për “Reuters” në një intervistë të dhënë në zyrën e saj ditën e sotme.
Osmani tha se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron për të përmbushur një model të Krimesë duke krijuar tensione në veri të Kosovës.
“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiç është që të ndalojë ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim. Ata po përpiqen të krijojnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës”, tha Osmani.
Presidentja Osmani tha se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.
“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.
Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Në fillim të këtij viti, ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga BE, por që atëherë ata nuk kanë qenë rënë dakord se si ta zbatojnë atë.
Nga ana tjetër, Presidentja Osmani tha se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojnë si më parë./tvklan.al