Presidenca e Republikë së Kosovës ka lëshuar komunikatë për medie, pas takimit të liderëve të partive opozitare nga presidentja Osmani.
Sipas njoftimit për medie, Presidentja Osmani i ka falënderuar përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kosovë për siç thuhet, përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.
Sipas njoftimit të Presidencës, kryetarët e partive opozitare janë informuar brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit.
“Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku. Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.
Po ashtu, Presidentja ka siguruar liderët opozitar se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve si dhe do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët tanë të cilët, në bashkëpunim me institucionet tona të sigurisë, janë garantues të paqes e stabilitetit.
Presidentja Osmani ka shfaqur besimin e plotë se edhe sfidat e reja që mund të shfaqen do t’i tejkalojmë të bashkuar, duke vendosur interesin e shtetit mbi të gjitha”, thuhet në komunikatë.
Osmani gjatë ditës ka pritur në takime të ndara, kryetarët e partive kryesore opozitare: Lumir Abdixhikun nga LDK, Memli Krasniqin nga PDK dhe Ramush Haradinajn nga AAK, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë në vend. Me ftesë të presidentes, i pranishëm ishte edhe drejtori i AKI-së, z. Petrit Ajeti”, thuhet në njoftim.