Në përfundim të punimeve të samitit të Procesit të Berlinit, që u mbajt këtë të hënë në Tiranë, Presidentja e KE Ursula von der Leyen prezantoi planin e saj për Ballkanin Perëndimor. Ky plan përmban 4 shtylla dhe siç theksoi vetë Von der Leyen, ka potencialin që të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Duhet t’i sjellim ekonomitë tona më para dhe të përshpejtojmë reformat për anëtarësimin. Kjo është arsyeja përse liderëve u prezantova planin tonë të rritjes. Plani i ri i rritjes ka potencialin, nëse implementohet, që të dyfishojë ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda kësaj dekade. Ka 4 shtylla.
Shtylla e parë e planit është që ta sjellim Ballkanin Perëndimor në tregun e përbashkët. Ne praktikisht hapim derën e tregut të përbashkët në 7 fusha kyçe për kompanitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Shtylla e dytë është që Ballkani Perëndimor duhet të plotësojë tregun e tij të përbashkët rajonal. Nëse e plotësojnë këtë treg, kjo mund të rrisë Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Ballkanit Perëndimor me 10 përqind. Ndaj, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta hapin tregun me fqinjët e tyre, 5 shteteve fqinje dhe partnerëve.
Shtylla e tretë janë reformat. Nëse duam t’i japim akses vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian duhet të kemi të njëjta rregulla dhe standarde. Kjo do të thotë se reformat janë të nevojshme dhe këto reforma do t’i sjellin vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë anëtarësimit. Këto reforma do t’i bëjnë po ashtu vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më tërheqës për investitorët europianë dhe do t’i bëjë ekonomitë tona respektive, që është shumë e rëndësishme, të bashkohen. Sepse sot kemi një situatë kur ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë 35 përqind e mesatares europiane. Ndaj nevojitet për t’u bërë shumë punë.
Shtylla e katërt e planit është, nëse përpjekjet për reformat bëhen, do të marrin si përgjigje një rritje të fondeve nga BE për investime. E thënë ndryshe, kemi propozuar një paketë investimi prej 6 miliardësh, e përbërë nga 2 miliard në formë grantesh dhe 4 miliardë hua. Pra investime dhe reforma, fondet do të lirohen në momentin që përmbushen reformat. Funksionon shumë mirë në Bashkimin Europian dhe jam tejet e bindur që do të funksionojë edhe në Ballkanin Perëndimor”./tvklan.al