Presidenti i SHBA, Biden konfirmon vizitën në Izrael

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të vizitojë Izraelin ditën e mërkurë të kësaj jave. Lajmin e ka bërë me dije Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Biden do të marrë një përmbledhje gjithëpërfshirëse mbi qëllimet dhe strategjitë e luftës së Izraelit. Ai do të dëgjojë nga ana izraelite se si do t’i kryejë operacionet në mënyrë që të shmangen viktimat civile”, tha Blinken para gazetarëve.

Njoftimi se presidenti Biden do të vizitojë Izraelin u bë në ambasadën amerikane në Jerusalem pas një takimi maratonë shtatë orësh mes kryediplomatit amerikan, Antony Blinken dhe kryeministrit Netanyahu ditën e hënë.

Më tepër detaje rreth vizitës së Biden në Izraeli i ka dhënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, në një konferencë për shtyp ku tha se presidenti amerikan do të mbërrijë në shtetin izraelit në një moment kritik të konfliktit me Hamasin.

Kirby theksoi se synimi kryesor i vizitës së Bidenit është lehtësimi i ndihmës për civilët në Gaza.

“Ai do të diskutojë çështjen e ndihmës humanitare”, tha ai.

Biden do të punojë gjithashtu për të krijuar një kalim të sigurt për civilët që të largohen nga Gaza nëse dëshirojnë.

Mësohet se pas vizitës në Izrael, Biden do të udhëtojë për në Amman, Jordani, ku do të takohet me mbretin jordanez Abdullah, presidentin e Egjiptit Al-Sisi dhe presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share