Presidenti Armand Duka komentoi paraqitjen e Kombëtares Shqiptare në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Ai vlerësoi ekipin dhe stafin teknik, ndërsa theksoi se mund të kishim bërë më mirë përsa i përket rezultatit.
Presidenti Duka gjithashtu foli për kualifikimin historik të Gjeorgjisë dhe theksoi performancën fantastike të skuadrës së tyre. Për sa i përket Shqipërisë, ai theksoi emocionet e Europianit dhe rëndësinë e eksperiencës për menaxhimin e emocioneve në ndeshjet e tilla. Në fund, Presidenti Duka u bëri thirrje ekipit Kombëtar të Shqipërisë që të injektojë besimin dhe të futet në fushë për fitore në çdo ndeshje.
“Ka gjëra për të cilat duhet të jemi krenar. Ekipi duhet falënderuar që na çuan atje, jo vetëm ata që ishin në Europian. Paraqitja ishte e mirë, rezultati nuk ishte i mirë. Rezultati do ishte i mirë nëse do ta kalonim grupin. Po të ishim pak më inteligjent do ta kishim kaluar grupin, po të ishim pak më të përgatitur psikologjikisht. Ndeshjen e parë me Italinë pasi shënuam ndoshta ramë në emocion. Goli që në futboll duhet të të lirojë dhe të shkosh përpara, na futi nën presion. Në atë ndeshje mbase duhet të ishim më të përgatitur psikologjikisht. Por në total jam i kënaqur”, tha Duka.