Presidenti i Egjiptit i kërkon Putinit të rinovojë marrëveshjen e grurit

Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin që të rinovojë marrëveshjen që lejon Ukrainën të eksportojë grurë. Abdel Fattah al-Sisi tha se është shumë e rëndëishme që marrëveshja të rinovohet dhe bëri thirrje për një zgjidhje urgjente për furnizimin e vendeve më të varfra afrikane.

Egjipti është një blerës kryesor i drithërave përmes Detit të Zi dhe është veçanërisht i prekshëm ndaj goditjeve globale të çmimeve të ushqimit.

Në përgjigje, Putin këmbënguli se rritja e çmimeve të ushqimeve ishte pasojë e gabimeve të politikës perëndimore që i paraprinë luftës me Ukrainën. Ai shtoi se Rusia ishte e gatshme të siguronte grurin e saj për të ndihmuar në shmangien e një “krize globale ushqimore”.

“Rusia mund t’i sigurojë Burkina Fasos, Zimbabvesë, Malit, Somalisë, Republikës së Afrikës Qendrore dhe Eritresë nga 25-50,000 tonë drithë falas secila në tre deri në katër muajt e ardhshëm”, tha Putin.

Këto gjashtë vende janë të gjitha aleatë rusë, përveç Somalisë, e cila po vuan një krizë të rëndë humanitare.

Rusia hoqi dorë nga marrëveshja e grurit javën e kaluar dhe që atëherë ka bombarduar portet e Detit të Zi të Ukrainës./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share