SAMITI I SHKUPIT
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në vigjilje të Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve të Evropës Juglindore ka realizuar takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimit me Presidentin shqiptar, Bajram Begaj, Kryeparlamentari Afrim Gashi ka shkruar në Facebook se janë diskutuar sfidat rajonale dhe bashkëpunimi dypalësh dhe janë dakorduar që marrëdhëniet e shkëlqyera të thellohen e pasurohen edhe më shumë në të ardhmen.
Për takimin në fjalë, nëpër rrjetet sociale është prononcuar edhe Presidenti Begaj.
“Angazhimi ynë është i fortë për të lënë një trashëgimi të pasur miqësie për brezat e ardhshëm dhe për të shtyrë përpara integrimin tonë euro-atlantik. Besoj se rrugën e bashkëpunimit tonë nga dy korsi do ta bëjmë me katër të tilla!” – shkruan Begaj në Facebook.
Presidenti I Shqipërisë, ka realizuar edhe një takim me Kryeministrin Talat Xhaferi.
Në takim, sic thuhet, përkundër raporteve të shkëlqyera miqësore midis dy vendeve, vetëm shkëmbimi ekonomik me Shqipërinë nuk i reflekton këto raporte dhe bashkëbiseduesit janë dakorduar që kjo të bëhet prioritet për përbërjen e re qeveritare në Maqedoninë e Veriut.
“Çdo tullë që vendosim në murin e arritjeve tona është hapi drejt një të ardhme të ndritur dhe do të jetë gjithmonë e mirëpritur” – ka shkruar nëpër rrjetet sociale Presidenti shqiptar Bajram Begaj, pas takimit me Kryeministrin Talat Xhaferi. /tvklan.mk/