Presidenti Begaj pritet me ceremoni shtetërore në Kazakistan, vizita e parë e një presidenti shqiptar

Presidenti i Republikës Bajram Begaj i shoqëruar nga Zonja e Parë Armanda Begaj, u prit sot në një vizitë shtetërore në Kazakistan, nga Presidenti i Republikës së Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev.

Kjo vizitë shënon të parë të një Presidenti nga Shqipëria në Kazakistan, dhe vjen në një kohë kur bëhen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes 2 vendeve.

Pas ceremonisë shtetërore të pritjes, të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, që u pasua dhe nga një takim midis dy delegacioneve.

Në një prononcim për mediat, duke vlerësuar marrëdheniet shumë të mira mes dy vendeve, Presidenti Begaj u shpreh se: “Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, gjetjen e mundësive të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes reciprok, siç mund të jenë energjia, infrastruktura, bujqësia apo nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve.”

Në funksion të afrimit të mëtejshëm të dy vendeve, Presidenti Begaj tha: “Një çështje me rëndësi tjetër që u diskutua ishte dhe hapja e një Ambasade të Kazakistanit në Shqipëri, e cila u mirëprit nga ana e Presidentit Tokayev.”

Në qendër të vëmendjes gjatë takimeve ishte edhe turizmi. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj vlerësoi se “interes tjetër të veçantë pati në drejtim të vendosjes së një linje ajrore të drejtpërdrejtë ndërmjet Kazakistanit dhe Tiranës, e cila do t’i shërbejë turizmit”.

Kreu i Shtetit i bëri ftesën Presidentit Tokayev për të vizituar Shqipërinë.

Gjatë vizitës zyrtare në Kazakistan, Presidenti Begaj u prit në takim edhe nga kryetari i Senatit të Parlamentit, Maulen Ashimbayev.

Presidenti Begaj dhe Ashimbayev folën për rëndësinë që kanë marrëdhëniet parlamentare në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share