Pranga në kishë bosit të Ndranghetas

Pasquale Bonavota, nën akuzë për vrasje dhe trafik droge

Arrestohet në Itali, një prej krerëve të organizatës famëkeqe mafioze Ndrangeta, Paskuale Bonavota. Mediat italiane shkruajnë se 49-vjeçari u vu në pranga, teksa ndodhej në katedralen e Xhenovas. Kur u ndalua, ai iu paraqiti policëve një kartë identiteti të falsifikuar.

Paskuale Bonavota është një prej 300 të pandehurve në gjyqin e madh që po zhvillohet ndaj anëtarëve të organizatave mafioze. Si drejtues i Ndrangetas, Bonavota konsiderohet edhe si personi që merrte vendime të rëndësishme, për pazaret e drogës dhe lojërat e fatit.

Ndrangeta, që dominon trafikun e kokainës në Itali dhe Europë, ka zgjeruar aktivitetin e saj vitet e fundit, pas dobësimit të dy organizatave të tjera të jugut të vendit, si Kamorra dhe Koza Nostra. Arrestimi i Bonavota vjen tre muaj pas kapjes të bosit të mafias siçiliane Matteo Messina Denaro.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share