55-vjeçari Riaan Naude, i cili postonte në rrjetet sociale foto teksa pozonte me kafshët e ngordhura të cilat kishte vrarë si luanët, elefantët apo gjirafat, është qëlluar për vdekje. Policia tha se 55-vjeçari u gjet i vdekur pranë automjetit të tij në provincën e Afrikës së Jugut, Limpopo, e cila njihet për rezervatet e saj të kafshëve të egra.
“Burri ishte shtrirë me fytyrën lart dhe kishte gjak në kokë dhe fytyrë”, tha zëdhënësi i Shërbimit Policor të Afrikës së Jugut, nënkoloneli Mamphaswa Seabi.
Oficerët gjetën një pushkë gjueti, rroba, ujë, uiski dhe pizhame në automjetin e 55-vjeçarit të ndjerë.
Një dëshmitar tha se një burrë e qëlloi me gjakftohtësi nga një distancë e afërt pasi një automjet i dytë u ndal pranë tij. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit./tvklan.al