Posta e Maqedonisë së Veriut/ Të punësuarit në protestë, kërkojnë reforma dhe paga të rregullta

Qindra të punësuar në “Postën e Maqedonisë së Veriut”  janë të revoltuar me mënyrën se si po funksionon kjo ndërmarrje publike tashmë disa vite. Pakënaqësitë e shumta i shtynë të punësuarit që të protestojnë për rreth dy orë. Ata thonë se kanë alarmuar disa herë, por Qeveria nuk ka marrë asnjë hap për përmirësimin e gjendjes në këtë ndërmarrje. Boro Virigenov, kryetar i sindikatës së të punësuarve, thotë se pakënaqësitë që kanë punëtorët po i bën ata ta lënë vendin e punës, gjë që sjellë problem me mungesën e punëtorëve.

“Duam të ruajmë vendet e punës dhe të sigurojmë ekzistencën e familjeve tona. Duke pasur parasysh se 80% e të punësuarve në Postën e Maqedonisë јanë  me pagë mesatare minimale. Punëdhënësi edhe pse e ka detyrim ligjor që të japë rrogën në kuadër të afatit të parashikuar me ligj, kjo deri sot nuk realizohet. Revolta tek të punësuarit është edhe më e madhe nga frika se në të ardhmen mund të mos kenë pagesa të rregullta të rrogave”, tha Boro Veligdenov.

Në mesin e kërkesave që protestuesit i drejtuan Qeverisë ishte sigurimi i financave të nevojshme që rrogat të jepen në kohë. Sipas tyre, që posta të mbijetojë duhet të bëhet disa ndryshime.

“ Kërkesat tona janë:  përgatitja e një sistematizimi të ri, një marrëveshje e re kolektive, ripërcaktim i zonave postare, modernizimi teknologjik, si dhe ndryshimet në Ligjin për shërbimet postare. Prandaj, me këtë protestë dhe me këtë konferencë për media, i bëjmë thirrje Qeverisë, e cila është themeluese dhe pronare e Postës së Maqedonisë së bashku me menaxhmentin, që menjëherë dhe pa vonesë të angazhohen për sigurimin e mjeteve financiare për pagesën e rregullt të pagave, si dhe marrjen e masave urgjente për reformimin dhe riorganizimin e funksionimit të Postës së Maqedonisë, që do të çonte në stabilizimin dhe mbijetesën e kompanisë”, tha Boro Veligdenov.
Nga Sindikata thanë se nëse ekzekutivi nuk vepron, atëherë protestat do të vazhdojnë, duke mos përjashtuar edhe hedhjen në grevë./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share